Kreu i Qeverisë Albin Kurti do të mbajë një konferencë të re për media në ora 19 e 45 teksa vendi po hyn në orët e fundit të afatit për zgjedhjen e Presidentit. Në konferencën e orës 15:00 Kurti ka thënë se nëse vendi nuk e zgjedh Presidentin deri në ora 0:00 me automatizëm shkon në zgjedhje. Ai ka deklaruar se zgjedhja e shefit të shtetit është “emergjencë”.

Për konferencën për media ka njoftuar Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka. Ndryshe, Kurti dhe PDK nuk kanë arritur të dakordohen rreth hapave për votimin e ligjit për Specialen dhe zgjedhjen e Presidentit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë se së pari duhet të kalojnë edhe në lexim të dytë ndryshimet e propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Duke folur në një konferencë për media pas ofertës së Kurtit për votimin e Bekim Sejdiut për president fillimisht, para kalimit të ndryshimeve në ligjin në fjalë, Hamza tha se kërkesa e tyre nuk mund të lidhet me zgjedhjen e presidentit të ri.

Burimi origjinal

Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.