Qeveria e Kosovës ka njoftuar për mbështetjen prej rreth 15 milionë eurosh për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm, por fotografia e përdorur për ta ilustruar njoftimin ka tërhequr vëmendjen për një arsye krejt tjetër.

Në imazhin e publikuar, personat e paraqitur rreth tavolinës së Qeverisë shfaqen me tipare të fytyrës të pazakonta dhe, në disa raste, dukshëm të transformuara, duke krijuar përshtypjen se fotografia mund të jetë përpunuar ose gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.

Nga vetë imazhi nuk mund të konstatohet se cili program është përdorur për përpunimin e tij apo nëse bëhet fjalë konkretisht për ChatGPT.

Fotografia shoqërohet me mbishkrimin “15 milionë euro mbështetje për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike”, ndërsa në sfond paraqitet një mbledhje e Qeverisë.

Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitet 2026–2027 është publikuar edhe në platformën zyrtare të konsultimeve publike, ku thuhet se synon mbështetjen financiare të konsumatorëve të cenueshëm për pagesën e faturave të energjisë.

Megjithatë, mënyra se si është përpunuar fotografia që shoqëron njoftimin ka hapur një tjetër diskutim: a duhet institucionet shtetërore të përdorin imazhe të modifikuara me AI në komunikimin zyrtar pa e bërë të qartë këtë?

Burimi origjinal

Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.