Një avokat i njohur ka shpjeguar pse Manchester City përballet me një “luftë të vështirë” për ta rrëzuar vendimin që e shpalli fajtor për shkeljen e rregullave financiare të Premierligës.

Manchester City u shpall fajtor për shkeljen e shumicës së akuzave të ngritura ndaj tij nga Premierliga, pas shqyrtimit të rastit nga një komision i pavarur.

Klubi u konstatua gjithashtu se kishte përdorur marrëveshje fiktive për të fryrë shifrat e të ardhurave dhe për të ulur shpenzimet, duke organizuar marrëveshje të kamufluara financimi me vlerë deri në 900 milionë funte me partnerë komercialë nga viti 2009 deri më 2018, periudhë gjatë së cilës City i fitoi tre tituj të Premierligës.

Klubi mund të përballet me disa sanksione, përfshirë pezullimin nga garat e ligës, zbritjen e pikëve, përsëritjen e ndeshjeve, përjashtimin nga liga, detyrimin për t’u paguar kompensim klubeve të tjera, rënien automatike nga liga, madje edhe heqjen e titujve të fituar.

Pavarësisht vendimit që e shpalli fajtor, City vazhdon të këmbëngulë në pafajësinë e tij dhe ka paraqitur ankesë, ndërsa një vendim pritet brenda 12 javësh.

Kampioni i Premierligës në dhjetë raste thotë se posedon një “vëllim gjithëpërfshirës të provave të pakundërshtueshme” që mbështesin qëndrimin e tij.

City thotë gjithashtu se vendimi “përmban gabime të qarta dhe thelbësore në ligj, parim dhe fakte, dhe nuk është i sigurt”.

Avokati i njohur i së drejtës sportive, James Severn, anëtar i Shoqatës së Avokatëve të Londrës për Çështje Gjyqësore (LSLA) dhe partner në firmën ligjore Penningtons Manches Cooper, i tha “BBC Sport” se City përballet me “pengesa të konsiderueshme” nëse dëshiron të ketë qoftë edhe një mundësi të vogël për ndryshimin e vendimit.

City do të argumentojë se shumat e përfituara nga marrëveshjet e sponsorizimit ishin legjitime dhe jo të fryra artificialisht.

“City do të duhet të identifikojë një gabim thelbësor në ligj, parim ose fakte, apo një padrejtësi të rëndë procedurale, që ka ndikuar në mënyrë thelbësore në vendimin e Komisionit”, tha Severn.

“Megjithatë, Bordi i Apelit ka kompetenca të gjera për ta pranuar ose rrëzuar ankesën, për ta ndryshuar vendimin ose për të marrë çfarëdo mase tjetër që e konsideron të përshtatshme”, shtoi ai.

Marrëveshja e sponsorizimit me njërin prej sponsorëve kryesorë të Cityt, “Etihad Airways”, është një nga pikat e debatueshme të këtij rasti. Klubi kishte bërë të qartë më herët se qeveria e Abu Dhabit nuk kishte paguar për sponsorizimin e tij.

Kjo u zbulua në një dokument gjyqësor amerikan të vitit 2015. Pritet që City të argumentojë se mungesa e kontekstit të plotë në atë dokument dëshmon se janë përdorur prova kontradiktore.

Kur vendimi u bë publik, “Etihad Airways” lëshoi një deklaratë ku tha se nuk i ishte “dhënë kurrë mundësia nga Premierliga për t’u përfaqësuar, për të ofruar informacione relevante apo për të garantuar saktësinë dhe drejtësinë e informacionit të përdorur në këtë rast”.

“Ekstraktet bankare, dokumentet qeveritare dhe dëshmitë e pagesave të kryera në atë kohë mund të përbëjnë prova të fuqishme, nëse vërtetojnë një gjurmë të qartë financiare që tregon se fondet e kontestuara erdhën nga qeveria e Abu Dhabit dhe jo nga pronarët”, shtoi Severn.

“Megjithatë, nëse këto prova ishin tashmë në dispozicion të Komisionit, i cili megjithatë arriti në përfundimin se marrëveshjet ishin fiktive, City do ta ketë shumë të vështirë të dëshmojë se ky konstatim ishte thelbësisht i gabuar”, u shpreh ai tutje.

City mund të argumentojë gjithashtu se komisioni i pavarur është mbështetur tepër shumë në emailat e siguruar nga dosjet e Football Leaks.

Severn shpjegoi: “Nëse City mund të dëshmojë se Komisioni i ka keqkuptuar rrënjësisht emailat, nuk e ka marrë parasysh kontekstin e tyre të duhur ose ka arritur në përfundime që bien ndesh me dokumentet e tjera të krijuara në atë periudhë, kjo mund të përbëjë një gabim thelbësor faktik. Vështirësia e Cityt qëndron te fakti se Komisioni dëgjoi dëshmi të shumta nga dëshmitarët dhe shqyrtoi një numër të madh dokumentesh, por megjithatë arriti në përfundime serioze për ekzistencën e marrëveshjeve fiktive dhe financimit të kamufluar nga pronarët”. /GazetaExpress/

Burimi origjinal

Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.