Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se pret që në takimin e radhës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të përmbyllet çështja e ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara.
Hamza ka thënë se disa dokumente për këtë çështje tashmë janë miratuar edhe në Qeveri, ndërsa sipas tij, prioritet mbetet miratimi i ligjit në të gjitha leximet.
“E keni parë që edhe në Qeveri janë aprovuar disa dokumente, por pres që në takimin e radhës kjo çështje të mbyllet. Ju e dini që për ne prioritet është të aprovohet ligji në të gjitha leximet dhe pastaj të hyjmë në procesin e zgjedhjes së presidentit, nëse dakordohemi”, ka thënë Hamza për Klan Kosovën.
Ai ka bërë të ditur se takimi me Kurtin mund të zhvillohet në çdo kohë, duke pasur parasysh afatet dhe dinamikën e zhvillimeve politike.
“Është e mundshme që të takohemi në çdo kohë (me Kurtin). Dinamikat janë aq të shpejta dhe koha është aq e shkurtër, saqë mund të takohemi çdo ditë”, ka deklaruar Hamza.
Burimi origjinal
Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.