Në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamenti Special janë dhënë sot fjalët përfundimtare në rigjykimin ndaj Mendim Sojevës dhe Ganimete Gashi-Ahmetit, në rastin që lidhet me pretendimet e Prokurorisë Speciale për përvetësimin e mbi një milion eurove.
Para kalimit në fjalët përfundimtare, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Vesel Ismajli dhe në përbërje me gjyqtarët Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani-Hajra, me shumicë votash refuzoi propozimin e Prokurorisë për angazhimin e një grupi të pavarur ekspertësh financiarë.
Prokurorja deklaroi se qëllimi i propozimit kishte qenë sigurimi i një ekspertize të plotë nga një ekip i pavarur, e cila, sipas saj, do të eliminonte dilemat e krijuara nga ekspertizat e mëparshme.
Pas refuzimit të propozimit dhe meqë nuk u administrua ndonjë provë tjetër e re, Prokuroria kaloi në fjalën përfundimtare. Prokurorja deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar më herët, ku, sipas saj, janë analizuar veçmas provat e administruara dhe faktet që pretendon se janë vërtetuar prej tyre.
Në përfundim, Prokuroria i propozoi trupit gjykues që të vlerësojë provat, t’i shpallë fajtorë të akuzuarit dhe t’u shqiptojë dënimin e paraparë me ligj.
Ky proces është në rigjykim, pasi Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi-Ahmeti ishin liruar nga akuza nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 maj 2025. Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit më 29 janar 2026 e anuloi aktgjykimin lirues dhe e ktheu çështjen në rigjykim.
Apeli kishte konstatuar, ndër të tjera, se aktgjykimi i shkallës së parë nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm për disa nga faktet vendimtare dhe se një numër provash materiale e personale nuk ishin vlerësuar në mënyrë të plotë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të përpiluar më 6 tetor 2020, Sojeva akuzohet se, në cilësinë e udhëheqësit të Divizionit për Buxhet dhe Financa në AKPPM, gjatë periudhës 2014–mars 2018, kishte përvetësuar para të tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të Agjencisë. Prokuroria pretendon se bëhet fjalë për mbi 1.2 milion euro.
Sojeva dhe Gashi-Ahmeti ngarkohen gjithashtu, sipas aktakuzës, lidhur me veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”.
Tashmë procesi ka arritur përsëri në fund: pas fjalëve përfundimtare të mbajtura sot, Gjykata ka caktuar 6 tetorin 2026 për shpalljen e aktgjykimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Burimi origjinal
Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.