Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka propozuar shmangien nga afatet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit, në mënyrë që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të shqyrtohet sot në lexim të dytë.
Tahiri, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka propozuar që amendamentet e projektligjit t’i adresohen Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30.
Sipas propozimit të tij, Komisioni do ta shqyrtonte projektligjin deri në orën 15:30, ndërsa deri në orën 17:00 do t’ia paraqiste Kuvendit raportin me rekomandimet për shqyrtimin e dytë.
“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar do të bëhet në seancën plenare sot, më 5 tetor 2026, në orën 17:30”, tha Tahiri.
Propozimi i PDK-së vjen pasi Kuvendi e miratoi më herët në lexim të parë këtë projektligj.
Burimi origjinal
Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.