Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se gjatë pesë viteve të fundit janë rekrutuar 3 mijë e 220 ushtarë të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Përmes një njoftimi, Maqedonci ka thënë se me këtë është fuqizuar kapaciteti njerëzor i FSK-së dhe është arritur më shumë se dyfishimi i numrit të ushtarëve.
Ai ka theksuar se investimet në zhvillimin dhe profesionalizimin e ushtrisë do të vazhdojnë.
“Vazhdojmë të investojmë në zhvillimin dhe profesionalizimin e ushtrisë sonë, me synimin për të ndërtuar një forcë gjithnjë e më të fuqishme, moderne dhe të gatshme për mbrojtjen e Republikës së Kosovës” – ka shkruar Maqedonci, të shtunën, më 24.10.2026.
Ndërkaq, në një njoftim të Qeverisë thuhet se gjatë mandatit të kaluar është trefishuar buxheti i ushtrisë, ndërsa për mandatin aktual është zotuar investimi i mbi 1 miliard eurove në ushtri.
Sipas njoftimit të Qeverisë, janë realizuar blerje të armatimit në vlerë mbi 430 milionë euro.
Si pjesë e mbështetjes ajrore janë përmendur dronët Bayraktar dhe SkyDagger, ndërsa nga toka janë mbi 40 lloje të armatimit të rëndë dhe të lehtë, të cilat përshkruhen si moderne dhe sipas standardeve të NATO-s.
Qeveria ka bërë të ditur gjithashtu se pritet që gjatë këtij viti të nisë trajnimin edhe një gjeneratë tjetër e rekrutëve.
Sipas njoftimit, me këtë ritëm, FSK-ja pritet t’i arrijë kapacitetet ushtarake të parapara për vitin 2028, dy vjet më herët se planifikimi fillestar.
“Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë pjesë e NATO-s”- thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Të premten (23.10.2026), u mabjt ceremonia e betimit të 515 ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës që u mbajt në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Qeveria ka njoftuar se gjatë kësaj ceremonie kryeministri Kurti tha se kjo është gjenerata më e madhe ndonjëherë me 515 qytetarë që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut.
Betohen 515 ushtarë të rinj të FSK-së, kryeministri Kurti: Zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri
Burimi origjinal
Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.