Një milion euro ishin gjetur të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni që po hynte nga Serbia në Kosovë. Për këtë rast janë të dyshuar tre persona: Aurel Kaziu, Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj.

Një person i cili pretendon se është pronar i rreth 1 milion eurove ‘cash’, të gjetura të fshehura në një furgon në pikën kufitare në Merdarë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se personi, i cili është paraqitur në Prokurorinë Speciale është personi që pretendon se 1 milion eurot e sekuestruara janë të tij.

Ndërsa, PSRK përmes njoftimit më 23.10.2026 ka konfirmuar se personi është ndaluar për 48 orë.

Në këtë fazë, KALLXO.com nuk ka informacione të tjera lidhur me identitetin e personit, rrethanat e paraqitjes së tij në Prokurori apo arsyet e ndalimit.

KALLXO.com ka kontaktuar avokatin Betim Shala, i cili përfaqëson Aurel Kaziun, njërin nga tre të dyshuarit në këtë rast.

Shala ka thënë për KALLXO.com se nuk ka informacione lidhur me këtë zhvillim.

Më 14.03.2026, pikërisht avokati Betim Shala, gjatë një debati në emisionin “KALLXO Përnime”, kishte deklaruar se ishte kontaktuar nga një person i cili pretendonte se paratë e gjetura në furgon ishin të tijat.

“Unë e di nga kanë ardhë, mua më ka kontaktuar personi që konsideron që ato mjete janë të tijat”- kishte deklaruar avokati Shala.

Ai kishte thënë se informacionin e kishte përcjellë edhe në Prokurorinë Speciale dhe se personi në fjalë do të kërkonte kthimin e parave nëse vërtetohej pretendimi për pronësinë e tyre.

“Në momentin kur vërtetohet që janë të vërteta, normal që do të kërkojë edhe kthimin e mjeteve”- kishte thënë Shala.

Lexoni: Avokati i policit të arrestuar për 1 milionëshin: Më ka thirrë një person në telefon se paratë janë të tij .

Deri më tani nuk është konfirmuar nëse personi i ndaluar nga Prokuroria Speciale është i njëjti që më herët kishte kontaktuar avokatin Shala.

Më 24.02.2026, zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe policët kufitarë kishin zbuluar rreth 1 milion euro të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni që po hynte nga Serbia në Kosovë, përmes pikës kufitare në Merdarë.

Furgoni po udhëtonte nga Gjermania drejt Shqipërisë, ndërsa lidhur me rastin ishin arrestuar tre shtetas të Shqipërisë: Aurel Kaziu, pjesëtar i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Ardit Laska dhe Edmir Ahmagjokaj.

Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet ndaj tyre nën dyshimin për veprën penale të shpëlarjes së parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga KALLXO.com , ekzistonte dyshimi se të pandehurit kishin transportuar mjete financiare të përfituara përmes aktivitetit kriminal, ndërsa tre të dyshuarit kishin mohuar dijeninë apo lidhjen e tyre me paratë e zbuluara.

Rasti ishte përcjellë me një varg vendimesh kundërthënëse gjyqësore lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Më 27.02.2026, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes gjyqtarit Leon Përlaska, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim , me arsyetimin se Prokuroria nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale.

Pas ankesës së Prokurorisë, më 06.03.2026, Gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin e Themelores dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

Megjithatë, më 09.03.2026, gjyqtari Leon Përlaska kishte refuzuar për herë të dytë kërkesën për paraburgim , duke konstatuar sërish se Prokuroria Speciale nuk kishte mbështetur me prova dyshimin e bazuar ndaj tre të pandehurve.

Prokuroria Speciale ishte ankuar edhe ndaj këtij vendimi, ndërsa më 18.03.2026, Gjykata e Apelit kishte vendosur t’ua caktonte paraburgimin tre të dyshuarve , duke vlerësuar se ekzistonin kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.

Por vendimi i Apelit ishte anuluar nga Gjykata Supreme.

Më 31.03.2026, Gjykata Supreme kishte anuluar vendimin e Apelit për paraburgimin dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje në shkallën e dytë.

Supremja kishte konstatuar se Apeli nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm se cilat prova konkrete e mbështesnin dyshimin e bazuar që të pandehurit kishin kryer veprën penale të shpëlarjes së parave.

Sipas Supremes, në vendimin e Apelit nuk ishte bërë ndërlidhja e qartë ndërmjet provave në shkresat e lëndës, veprimeve të të pandehurve dhe veprës penale për të cilën ishte caktuar paraburgimi.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar qëndrim, duke e vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore dhe duke e refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgimin e tre të dyshuarve.

Ky vendim, për të cilin KALLXO.com raportoi më 08.04.2026 , ishte vendimi i gjashtë gjyqësor në procedurën lidhur me paraburgimin e të dyshuarve, përfshirë vendimet e Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve procedurale lidhur me paraburgimin, çështja e prejardhjes dhe pronësisë së rreth 1 milion eurove të sekuestruara mbetet objekt i hetimeve.

Burimi origjinal

Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.