Nga gjyqtar penalist në degën e Skenderajt, Valon Hajdini është emëruar në pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës të kësaj dege të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me mandat pesëvjeçar.
Emërimi i tij është bërë më 22.10.2026 në takimin e 373-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), pas procesit të votimit dhe bazuar në rekomandimin e komisionit vlerësues për intervistimin dhe vlerësimin e kandidatëve.
Hajdini ushtron detyrën e gjyqtarit penalist në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Skenderaj që nga 8 korriku 2022.
Para se të emërohej gjyqtar, ai ka punuar si sekretar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, nga shtatori i vitit 2019 deri në korrik të vitit 2022.
Përvoja e tij profesionale përfshin edhe ushtrimin e profesionit të avokatit në Degën Rajonale të Mitrovicës të Odës së Avokatëve të Kosovës, nga nëntori i vitit 2016 deri në shtator të vitit 2018. Para kësaj, ai kishte përfunduar praktikën njëvjeçare pranë të njëjtës Odë.
Hajdini ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” më 16 shtator 2013, ndërsa Provimin e Jurisprudencës e ka dhënë më 21 tetor 2016.
Në dhjetor të po atij viti, ai ka përfunduar studimet pasuniversitare në drejtimin e së Drejtës Kushtetuese dhe Administrative, duke fituar titullin Master i së Drejtës (LL.M.). Në korrik të vitit 2022, ka përfunduar me sukses edhe Akademinë e Drejtësisë.
Shkollimin parauniversitar e ka kryer në Gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë, në drejtimin e Shkencave Shoqërore.
Në deklarimin e rregullt të pasurisë, gjyqtari Valon Hajdini ka deklaruar katër prona të paluajtshme në pronësi të prindërve të tij, një veturë “BMW”, kursime bankare dhe dy detyrime financiare.
Sipas deklarimit të dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit më 28 mars 2026, pronat përfshijnë tokë prej 8,912 metrash katrorë, me vlerë 90 mijë euro, një shtëpi prej 210 metrash katrorë, me vlerë 90 mijë euro, si dhe dy parcela trualli, të vlerësuara përkatësisht në 100 mijë dhe 12 mijë euro. Sipas formularit, këto prona janë në pronësi të prindërve të tij.
Formularin e deklarimit të pasurisë së gjyqtarit Valon Hajdini mund ta gjeni këtu.
Burimi origjinal
Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.