Qeveria e Kosovës nuk po ndalet në orientimin e buxhetit të shëtit në çështjet që sjellin përfitime elektorale. Në ditën që u publikua raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i cili konstaton se ekzekutivi keqpërdori resurset e shtetit në kohë zgjedhore, Qeveria Kurti sikur ka konfirmuar këtë konstatim.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar Projektligji që parasheh që pjesa kryesore e mjeteve të shkojë në kontingjencën e pagave, për të mbuluar pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe shtesën e përvojës.

Ky vendim është marrë 6 ditë para se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Para anëtareve të kabinetit qeveritar, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se pagesat retroaktive do të mbulojnë periudhën nga hyrja në retroaktive për diferencën e shtesës prej 0.5 për qind për përvojën e punës.

“ Që nga ky vit, me anë të Ligjit për Ndarje Buxhetore e kemi mbuluar shtesën prej 0.5 për qind, mirëpo hapësira e pambuluar që ka mbetur është prej kur ka hyrë Ligji i Pagave në fuqi deri në fund të vitit të kaluar ”, ka thënë ai.

Nga rialokimi janë paraparë edhe 20 milionë euro për pensionet bazike, me qëllim të mbulimit të kostos së rritjes së numrit të pensionistëve.

Murati ka thënë e këto mjete do të përdoren për të mbuluar “rritjen e natyrshme të pensionistëve”.

Ndërkohë, paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik ishte ndarë edhe gjatë vitit të kaluar.

Shtesa prej 0.5 për qind u bëhet punonjësve të sektorit publik për çdo vit përvojë pune.

Pra një punëtor me 10 vjet përvojë përfitonte shtesë 5 për qind mbi pagën bazë. Por kjo shifër u ndërrua me Ligjin për Paga më 2022.

Për 15 vjetët e parë ajo u përgjysmua në 0.25 për vit, e më pas u bë 0.5 pas vitit të 15-të. Gjykata e ka shpallur këtë antikushtetues.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) ka dhënë konstatime të rënda për Qeverinë Kurti në lidhje me zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas raporti që është publikuar dje, Qeveria Kurti ka keqpërdorur resurset e shtetit në kohë zgjedhore, duke krijuar kështu “kushte të pabarabarta garë”.

Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026 ishin të pabarabarta, Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje keqpërdori resurset shtetërore, në prag të zgjedhjeve shpërndau para për qytetarët e subvencionoi linjat ajrore për diasporën.

Këto janë disa prej shqetësimeve që i ka evidentuar delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në raportin e tyre gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

“ Një shqetësim kryesor i identifikuar nga delegacioni i PACE-s dhe vëzhguesit vendas ishte mungesa e kushteve të barabarta të garës. Qeveria në detyrë, në prag të zgjedhjeve, mori vendime për të ofruar pagesa financiare njëherëshe për kategori të ndryshme të qytetarëve dhe për të subvencionuar linjat ajrore për diasporën ”, është thënë në raport.

Vëzhguesit e Këshillit të Evropës kanë treguar se cili ishte qëllimi i këtyre veprimeve.

“K oha e ndërmarrjes së këtyre masave u perceptua gjerësisht si e synuar për t’i sjellë përfitim partisë në pushtet. Delegacioni i PACE-s dëgjoi nga disa bashkëbisedues se këto vendime përbënin keqpërdorim të burimeve administrative dhe mjegullonin vijën ndarëse mes politikave publike dhe interesave zgjedhore ”, është thënë në raport, duke dhënë detaje tjera.

“ U jep përparësi subjekteve në pushtet dhe cenon perceptimin për një konkurrencë të drejtë, edhe kur vendimet mund të kenë një justifikim të argumentueshëm në interesin publik ”, është thënë në raport.

Burimi origjinal

Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.