Gushti i solli Kosovës 1.010 ndërmarrje të reja, numrin më të ulët në tetë muajt e parë të 2026-s. Duke komentuar shifrat, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, foli për “një trend pozitiv të hapjes së biznesit”.

Nga korriku në gusht, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimet ranë me 573, ose 36,2%. As krahasimi me gushtin e kaluar (1.068) nuk e zbut pamjen: rënia vjetore është 5,4%.

Gjatë një prononcimi për media, pas publikimit të artikullit “ Regjistrimi i bizneseve bie 36,2 % në gusht, niveli më i ulët i vitit 2026 “ nga Nacionale, Kusari-Lila u pyet nga gazetarët se cila ishte përgjigja e saj ndaj kësaj statistike.

Ministrja foli për shuarjet, regjistrimet e përgjithshme dhe qeverisjen korporative. Për rënien e gushtit nuk dha kurrfarë shpjegimi të mbështetur me të dhëna.

“Në muajin gusht janë shuar 86 biznese, 62 prej tyre janë biznese individuale”, tha Kusari-Lila, pa e treguar burimin.

Shpjegimi i saj ishte se bizneset individuale shpeshherë shuhen “për t’u regjistruar pastaj si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar”. Si provë e dha atë që ndodh “sipas praktikës”, jo statistika për këto kalime. Raporti i ASK-së “Repertori Statistikor i Ndërmarrjeve Ekonomike në Kosovë, Gusht 2026” nuk përmban të dhëna që lidhin shuarjet me regjistrimet e reja.

Kjo i përgjigjet pjesës së pyetjes për shuarjet. Por nuk thotë sa biznese u riregjistruan si SH.P.K. dhe nuk e shpjegon rënien prej 573 regjistrimesh. Vetë ministrja nuk tha se të 62 e kishin bërë këtë kalim.

“Në total janë mbi 10 mijë biznese deri tani që janë hapur”, tha ministrja. Këtë shifër e krahasoi me 13.400 bizneset që, sipas saj, u hapën gjatë gjithë vitit 2025. ASK jep 13.123 regjistrime për vitin 2025 dhe 9.492 për janar–gushtin 2026.

Ministrja nuk tha ku mbaron “deri tani”. Nuk dihet nëse shifra përfshin edhe regjistrime pas gushtit, ndaj ajo nuk krahasohet dot drejtpërdrejt me tetëmujorin.

Tetë muaj të një viti nuk maten me dymbëdhjetë të një tjetri. Për janar–gushtin e 2025-s, ASK jep 9.025 regjistrime. Rritja prej 467 regjistrimesh, ose 5,2%, e mbështet vlerësimin pozitiv për tetëmujorin, pavarësisht gushtit.

Nga 1.339 në mars, regjistrimet ranë në 1.124 në prill, 1.108 në maj dhe 1.092 në qershor. Në korrik u ngjitën në 1.583, pastaj zbritën në 1.010 në gusht. Gushti mbeti 24,6% nën nivelin e marsit, por seria nuk tregon rënie të pandërprerë.

Një pjesë e rënies prej 36,2% vjen nga baza e lartë e korrikut, kulmi i vitit. Krahasimi vjetor e shmang këtë efekt dhe sërish del negativ. Edhe bilanci neto doli më i ulët: në gusht regjistrimet i kaluan shuarjet me 926, kundrejt 978 një vit më parë dhe 1.474 në korrik.

SH.P.K.-të zunë 70,4% të regjistrimeve. Kjo tregon formën ligjore, por nuk trefon as përmirësim të qeverisjes korporative, as kalime nga bizneset individuale. Nga 1.010 ndërmarrjet e reja, 1.003 janë klasifikuar me zero deri në nëntë të punësuar.

Burimi origjinal

Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.