Përfaqësuesi i platformës “Liria ka emër” , Ismail Tasholli, ka dhënë detaje lidhur me marshin që do të mbahet nesër në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit dënues në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Duke folur në emisionin në Klan Kosova, Tasholli ka thënë se ftesa për pjesëmarrje në marsh u është drejtuar të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe liderët e partive politike.

Ai ka theksuar se edhe në marshimet e mëparshme ftesa ka qenë e hapur për të gjithë, ndërsa në marshin e fundit liderët politikë ishin ftuar edhe për t’iu drejtuar pjesëmarrësve.

“Po, në përgjithësi në të gjitha marshet ne kemi bërë ftesë për të gjithë. Marshi i fundit ka qenë i dalluar që i kemi ftuar edhe me folë, me i folë masës. Kësaj here kemi bërë thirrje për të gjithë qytetarët, që nënkuptojnë edhe liderët e secilës parti se ata janë pjesë e kësaj shoqërie. Je qytetar i këtij vendi dhe e ke përgjegjësinë për me mbrojt, po. Do të thotë kemi bërë ftesë për të gjithë. Në të tri marshet, dorën në zemër, secila parti politike ka bërë thirrje për me iu bashku marshit. Edhe kësaj here besoj të gjithë kanë me bërë thirrje, shumica kanë bërë thirrje që t’i bashkohemi marshit. Ajo që po e përsërisim “UÇK-ja na bashkon” duhet me u konkretizuar edhe në aspektin institucional, jo vetëm në aspektin qytetar. Unë e kam thënë që është një rrezik i madh nëse pushteti nuk i përngjan kërkesave të qytetarëve, krijohet një hendek i rrezikshëm që nuk bën me u futë asaj udhe”, tha fillimisht ai.

Tasholli ka rikujtuar se në tri marshimet e mëparshme partitë politike kanë bërë thirrje për pjesëmarrje, duke shprehur besimin se një gjë e tillë do të ndodhë edhe këtë herë.

Ai ka vënë theksin te slogani “UÇK-ja na bashkon” , duke thënë se ky mesazh duhet të konkretizohet edhe në nivel institucional dhe jo të mbetet vetëm në aspektin qytetar.

Sipas Tashollit, pasojat e aktgjykimit nuk lidhen me një parti politike, organizatë joqeveritare apo komunitet të caktuar, por prekin, sipas tij, Kosovën në tërësi. Për këtë arsye, ai e ka cilësuar pjesëmarrjen në marsh si një përgjegjësi qytetare për të përcjellë një mesazh.

“Do të thotë i kemi bërë ftesa edhe kemi qejf të gjithë me qenë aty, sepse duhet të jemi të bashkuar, sepse dëmi është për të gjithë, nuk ka dëm për një parti politike apo për një organizatë joqeveritare apo për komunitete të caktuara, dëmi është për Kosovën. Dhe meqë ne jemi qytetarë të Kosovës e kemi obligim me qenë pjesë e marshit për me çuar një mesazh të rëndësishëm. Disa po pyesin cilat është rëndësia e protestës. E kam shpjeguar 5,000 herë. E kam shpjeguar 5,000 herë sepse është një kapitull aty në teorinë politike te demokracitë liberale, rolin që e ka prej polisit grek e deri sot. Mos me qenë qytetari dhe protesta, secilit pushtet i krijohet lehtësia qoftë tash ky pushteti i Hagës i veprimeve të papërgjegjshme”, shtoi Tasholli.

Burimi origjinal

Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.