Prishtinë – Për Lëvizjen Revolta, debati rreth shtetësisë së Kosovës duhet të shoqërohet me të dhëna konkrete dhe transparencë institucionale.

Për këtë arsye, aktivistët e kësaj lëvizjeje dolën më 16 qershor para Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke kërkuar publikimin e numrit të serbëve që kanë aplikuar për shtetësinë e Kosovës pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Rilind Kuçi, i cili foli në emër të Revoltës, tha se kërkesa drejtuar MPB-së ishte e drejtpërdrejtë dhe lidhej me një informacion konkret.

Sipas tij, ministria nuk kishte dhënë përgjigje, pavarësisht rikujtimeve të dërguara nga lëvizja.

“Çdo qytetar e meriton ta dijë të vërtetën në këtë vend”, tha Kuçi gjatë aktivitetit.

Revolta e ka paraqitur transparencën institucionale si pikën kryesore të kauzës së saj, ndërsa çështjen e shtetësisë e lidh me nevojën për të kuptuar se çfarë efekti praktik ka ligji i ri.