Prishtinë – Kërkesa për transparencë mbi aplikimet për shtetësinë e Kosovës ishte në qendër të aktivitetit të Lëvizjes Revolta para Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në fjalimin e tij, përfaqësuesi i Revoltës, Rilind Kuçi, kërkoi nga MPB-ja të publikojë numrin e saktë të serbëve që kanë aplikuar për shtetësinë e Kosovës pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Kuçi tha se kërkesa ishte bërë më herët përmes kanaleve institucionale, por sipas tij, përgjigjja nga ministria nuk kishte ardhur.
“Na kanë detyruar të kalojmë prej pyetjes se sa serbë kanë aplikuar për të fituar shtetësinë e Kosovës, në pyetjen se çka janë duke fshehur”, u shpreh ai.
Sipas tij, çështja nuk duhet të shihet vetëm si një debat mbi shtetësinë, por edhe si çështje e përgjegjësisë institucionale dhe qasjes së qytetarëve në informacion publik.
“Pushtetin mos ta konsiderojnë si privilegj e fuqi, po ta konsiderojnë si përgjegjësi”, tha Kuçi.
Lëvizja Revolta ka paralajmëruar se do të shqyrtojë organizimin e protestave nëse institucionet nuk reagojnë.