Prishtinë – Lëvizja Revolta ka rikthyer në vëmendjen publike debatin mbi Ligjin e ri për Shtetësinë, duke kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të publikojë të dhëna mbi aplikimet për shtetësinë e Kosovës.
Ligji i ri kishte hyrë në fuqi më 22 maj, ndërsa dispozitat që lidhen me të drejtën e shtetasve të ish-Jugosllavisë që kishin statusin e banorit të përhershëm në Kosovë më 1 janar 1998, si dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë, kishin nxitur reagime politike.
Në këtë kontekst, Lëvizja Revolta ka kërkuar të dihet konkretisht se sa persona me përkatësi serbe kanë aplikuar për shtetësinë e Kosovës pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Rilind Kuçi, përfaqësues i Revoltës, tha se lëvizja nuk ka marrë përgjigje nga MPB-ja pas kërkesës së saj.
Ai tha se transparenca është e domosdoshme për të kuptuar përmasën reale të aplikimeve dhe për t’i dhënë qytetarëve informacion të verifikueshëm.