Prishtinë, 16 qershor 2026 – Lëvizja Revolta ka zhvilluar të martën një aktivitet simbolik para Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke kërkuar publikimin e numrit të serbëve që kanë aplikuar për shtetësinë e Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Shtetësinë.

Përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje, Rilind Kuçi, tha se Revolta i është drejtuar më herët MPB-së me një kërkesë konkrete për të marrë informacionin, por sipas tij, ministria nuk ka kthyer përgjigje edhe pas kalimit të afateve që ai i përmendi gjatë fjalimit.

“Ne kemi kërkuar prej ministrisë një përgjigjje shumë të thjeshtë: të na tregojë numrin e saktë të aplikuesve serbë që kanë fituar shtetësinë e Kosovës”, deklaroi Kuçi.

Aktiviteti u shoqërua me pankarta me mesazhet “Institucionet nuk janë pronë private”, “Heshtja e ministrisë është alarm” dhe “Nuk ka shtet pa llogaridhënie”.

Revolta kërkon që institucionet të publikojnë informacionin dhe ta sqarojnë situatën para qytetarëve. Kuçi paralajmëroi se, nëse nuk ka reagim, lëvizja mund të organizojë protesta.