Prishtinë – “Institucionet nuk janë pronë private” ishte një nga mesazhet e Lëvizjes Revolta gjatë aktivitetit të zhvilluar para Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Lëvizja kërkoi që MPB-ja të bëjë publik numrin e personave me përkatësi serbe që kanë aplikuar për shtetësinë e Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Shtetësinë.

Sipas përfaqësuesit të Revoltës, Rilind Kuçi, organizata fillimisht ka zgjedhur rrugën institucionale duke i kërkuar ministrisë informacionin përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Por, sipas tij, mungesa e përgjigjes ka bërë që çështja të çohet në hapësirën publike.

“Ne kemi reaguar direkt tek Ministria e Punëve të Brendshme”, tha Kuçi, duke shtuar se sipas tij kishin kaluar afatet ligjore për përgjigje.

Aktiviteti i 16 qershorit u cilësua nga Revolta si simbolik, ndërsa Kuçi paralajmëroi se në rast të mungesës së reagimit, lëvizja mund të kalojë në organizimin e protestave.