Prishtinë – Me pankarta dhe një aksion simbolik, Lëvizja Revolta ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me numrin e aplikimeve për shtetësinë e Kosovës.
Aktiviteti u zhvillua më 16 qershor para objektit të MPB-së, ndërsa në qendër të kërkesës ishte publikimi i numrit të serbëve që kanë aplikuar për shtetësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Një nga mesazhet e aktivitetit ishte “Heshtja e ministrisë është alarm”.
Përfaqësuesi i Revoltës, Rilind Kuçi, tha se lëvizja e tyre kishte kërkuar informacion nga ministria rreth dy javë më herët, por nuk kishte marrë përgjigje.
Sipas Kuçit, kërkesa është e lidhur me të drejtën e qytetarëve për të pasur qasje në informacione publike.
“Dokumentet publike janë publike e nuk janë private. I kemi kërkuar ministrisë të na përgjigjet, sepse ministria është publike e nuk është private”, deklaroi ai.
Revolta ka bërë të ditur se do të vazhdojë presionin publik nëse nuk merr përgjigje nga institucionet.