Prishtinë – Lëvizja Revolta ka paralajmëruar mundësinë e organizimit të protestave nëse Ministria e Punëve të Brendshme nuk jep përgjigje lidhur me numrin e serbëve që kanë aplikuar për shtetësinë e Kosovës.

Paralajmërimi u bë nga Rilind Kuçi gjatë një aktiviteti simbolik të zhvilluar më 16 qershor para objektit të MPB-së.

Kuçi tha se lëvizja fillimisht kishte kërkuar informacionin nga ministria, por nuk kishte marrë përgjigje edhe pas kalimit të kohës që, sipas tij, ishte paraparë për kthimin e përgjigjes.

“Sot është aktivitet simbolik, por ne e paralajmërojmë ministrinë që, nëse nuk ka reagim të shpejtë, atëherë ne paralajmërojmë thirrje për protestë”, tha Kuçi.

Sipas tij, qëllimi i aktivitetit ishte t’u rikujtohej institucioneve se pushteti publik duhet të shihet si përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Kërkesa kryesore e Revoltës mbetet publikimi i numrit të aplikuesve serbë për shtetësi.