Jack Smith u thirr në Senatin amerikan për t’u përballur me pyetjet mbi hetimet ndaj Donald Trumpit, por dëshmia mori një kthesë interesante kur senatori republikan Eric Schmitt e riktheu në Hagë, aty ku Smith kishte drejtuar ndjekjen ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë seancës, senatori republikan Eric Schmitt e pyeti fillimisht Smithin nëse kishte humbur raste gjatë karrierës së tij. Më pas, ai e zhvendosi vëmendjen te kalimi i Smithit në Hagë, duke e pyetur nëse, pas humbjeve në karrierën e tij, ai kishte shkuar atje për të drejtuar ndjekjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Pasi i humbët të gjitha këto raste të nivelit të lartë, ju shkuat në Hagë për ta ndjekur presidentin e Kosovës në vitin 2020”, pyet Schmitt.
“Po, dhe ai është dënuar për mbi 300 raste torture dhe 96 vrasje”, u përgjigj Smith.
Schmitt nuk u ndal me kaq. Ai e pyeti nëse angazhimi në Hagë kishte qenë një mundësi që Smith më pas ta kthente vëmendjen te Donald Trumpi.
“Kjo nuk është aspak e vërtetë”, u përgjigj Smith, duke e kundërshtuar prerazi interpretimin e senatorit.
Kështu, dëshmia që kishte në fokus punën e Smithit si Prokuror Special dhe hetimet ndaj Trumpit u kthye për disa momente edhe në një përballje me të kaluarën e tij në Hagë.
Pyetjet e Schmitt sollën në sallën e Senatit edhe çështjen ndaj Thaçit, një prej dosjeve më të rëndësishme të karrierës së Smithit përpara rikthimit të tij në SHBA.
Ndryshe, Jack Smith konsiderohet një figurë mjaft kontroverse për shkak të mandateve të tij me ndikim të lartë politik si prokuror i posaçëm në raste ndërkombëtare dhe vendase. Ai ka qenë në qendër të vëmendjes publike si në Kosovë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Seanca u përqendrua kryesisht te hetimet e Smithit ndaj Trumpit dhe akuzat republikane për mënyrën se si ai e ushtroi autoritetin si Prokuror Special.
Sen. Schmitt: “You fled to The Hague and prosecuted the president of Kosovo in 2020?”
Smith: “Yes, and he was just convicted of over 300 acts of torture and 96 murders.”
Sen. Schmitt: “And then you got a chance to come back to get Trump. Is that right?”
Smith: “That’s not right at all.” — Bulwark Clips (@BulwarkClips) September 29, 2026
Burimi origjinal
Ky tekst publikohet nga Redaksia e Raporti Sot me leje/licencë. Burimi origjinal është i lidhur më sipër.